Moderatorja dhe influencuesja Dea Vieri ka treguar për herë të parë përvojën e vështirë me aknet cistike dhe trajtimin e gjatë që e ndikoi emocionalisht dhe fizikisht për më shumë se tre vite.
Moderatorja dhe influencerja e njohur Dea Vieri ka ndarë një rrëfim të sinqertë dhe të ndjeshëm mbi një periudhë të vështirë që ka kaluar me probleme serioze të lëkurës, duke folur hapur për pasojat fizike, emocionale dhe psikologjike që përjetoi.
E ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Dea tregoi për herë të parë detaje nga lufta e saj me aknet cistike, një formë e rëndë që e detyroi të ndjekë një trajtim të gjatë mjekësor dhe me efekte anësore serioze.
“Gjithçka nisi papritur dhe u bë alarmante”
“Unë gjatë gjithë adoleshencës sime nuk kam pasur probleme me aknet,” – rrëfeu ajo. “Deri në moshën 26-vjeçare, nuk kisha asnjë shqetësim. Por një ditë, pa asnjë paralajmërim, filluan të dalin një nga një dhe shumë shpejt situata u bë shumë alarmante për mua.”

Dea tregoi se kjo ishte një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, duke pranuar se nuk ndihej mirë me pamjen e saj dhe përpiqej ta fshihte sa më shumë:
“Është një nga momentet e rralla që unë jam pa make-up. Nuk kam shumë foto nga ajo periudhë sepse zgjohesha në mëngjes, i mbuloja aknet dhe përdorja shumë grim. Në rrjete sociale gjithçka dukej perfekte, por pas filtrave isha shumë e pasigurt me veten time.”
Shkaku: çrregullim hormonal dhe ciste
Pas shumë analizave dhe vizitave te dermatologët, Dea mësoi se shkaku i akneve të saj ishte një çrregullim hormonal i lidhur me cistet ovariane.
“Kisha çrregullime hormonale për shkak të cisteve dhe fillova t’i trajtoja. Në atë periudhë mora një mjekim nga goja, shumë të fortë dhe me efekte anësore, që zgjati një vit të plotë,” — tha ajo.
Mjekimi, sipas saj, kishte ndikime serioze në organizëm, përfshirë ndryshime emocionale, rrezik depresioni dhe probleme të mundshme në mëlçi.
“Por kur arrin fazën e fundit të akneve cistike, nuk ke zgjidhje tjetër. Isha e detyruar të merrja trajtim nga goja,” – tregoi moderatorja.
“Nuk doja ta shikoja veten në pasqyrë”
Dea pranoi se kjo periudhë kishte ndikim të thellë emocional:
“E kam vuajtur shumë. Nuk doja ta shikoja veten në pasqyrë. Nuk dilja nga shtëpia. Kishte raste që miqtë më ftonin për të dalë dhe unë thosha ‘jo, nuk ndihem mirë’. Kisha nevojë për një orë që të përgatitesha vetëm për të mbuluar fytyrën.”
Pas përfundimit të trajtimit me ilaçe, Dea nisi një fazë të gjatë kurosh estetike për të hequr shenjat që kishin mbetur nga aknet, proces që zgjati edhe dy vite të tjera.
“Edhe sot vazhdoj që të bëj trajtime për lëkurën. Ishte një rrugëtim i gjatë, por më mësoi shumë për durimin, shëndetin dhe pranimin e vetes.”
Një mesazh për vajzat e reja
Në fund të rrëfimit të saj, Dea Vieri dërgoi një mesazh motivues për vajzat e reja që përballen me probleme të ngjashme:
“Mos e humbni besimin te vetja, edhe nëse nuk ndiheni mirë me pamjen tuaj përkohësisht. Lëkura shërohet, por shpirti duhet ushqyer me dashuri, durim dhe kujdes.”

